Dërgesat e emigrantëve arrijnë rekord të ri historik, 621 mln euro në gjashtë muaj
Remitancat drejt Shqipërisë kanë arritur një rekord të ri historik.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, emigrantët dërguan 621 milionë euro, me një rritje prej 16.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për Bilancin e Pagesave.
Rritja më e fortë u regjistrua në tremujorin e dytë, kur prurjet arritën në 347 milionë euro, duke u zgjeruar me 24 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e dërgesave të emigrantëve po ecën paralelisht me shtimin e numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Që prej vitit 2013, remitancat kanë ndjekur një prirje pothuajse të pandërprerë rritëse, në linjë me ciklin e ri të emigracionit që u forcua veçanërisht pas vitit 2015. Përjashtim bëri viti 2020, kur pandemia solli një rënie të përkohshme të flukseve. Më pas, dërgesat u rikthyen në rritje dhe ritmet e tyre u përshpejtuan.
Emigracioni vijon të ushqejë rritjen e remitancave
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se emigracioni mbetet një faktor i rëndësishëm demografik për Shqipërinë. Migracioni neto ka qenë negativ gjatë gjithë periudhës 2011-2025, që do të thotë se numri i personave që largohen nga vendi ka qenë më i lartë se ai i atyre që vijnë për të jetuar në Shqipëri. Mesatarisht, largimet neto kanë qenë në nivelin e 30-40 mijë personave në vit.
Pas pandemisë, kjo tendencë është forcuar sërish. Mbi 166 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi në periudhën nga viti 2021 deri në 2026. Shtimi i numrit të emigrantëve zgjeron edhe potencialin për dërgimin e parave tek familjarët dhe të afërmit që jetojnë në Shqipëri.
Sipas aktorëve të tregut, pjesa më e madhe e remitancave vazhdon të vijë nga destinacionet tradicionale të emigracionit shqiptar, si Greqia dhe Italia. Megjithatë, gjatë viteve të fundit është rritur pesha e vendeve të reja të emigracionit, veçanërisht e Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.
Si llogariten remitancat nga Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë i regjistron remitancat në llogarinë korrente të Bilancit të Pagesave, sipas standardeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (BPM6). Në këtë zë përfshihen transfertat që emigrantët u dërgojnë familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes bankave, institucioneve financiare dhe operatorëve të transfertave, ashtu edhe përmes vlerësimeve për flukset informale.
Për përllogaritjen e tyre, Banka e Shqipërisë mbështetet në të dhënat e sistemit bankar, raportimet e subjekteve të licencuara dhe anketa të posaçme me familjet përfituese, me qëllim pasqyrimin sa më të plotë të flukseve reale të remitancave në ekonominë shqiptare.